.

vije ndarëse

Postuar më: 16/09/2021

Rritja e mbulesës vaksinale, Manastirliu në Kuvend: Do të sigurojmë edhe 1.3 milion vaksina anticovid

Tiranë, 16 Shtator – “Fokusi ynë është te rritja e mbulesës vaksinale dhe jemi duke punuar për të siguruar akoma më shumë vaksina. Me kontratat e lidhura dhe me donacionet e vendeve të partnerëve ndërkombëtarë, presim edhe 1.3 milion doza vaksine, përveç 2 milion dozave të vaksinave që tashmë kanë ardhur”. Deklarata u bë nga Ministrja Ogerta Manastirliu në Kuvend.
Duke folur për përgjigjen ndaj variantit Delta dhe rëndësinë e vaksinimit në këtë periudhë, Manastirliu tha:
“Sot jemi në ritme të mira të vaksinimit. Nuk janë ulur këto ritme sepse i gjithë sistemi shëndetësor është i dedikuar në funksion të rritjes së mbulesës vaksinale. Nëse do të ketë një fjalë kyçe ky sezon, fjala kyçe do të jetë: vaksinim, vaksinim, vaksinim. Kjo është një përpjekje jo vetëm e një qeverie. Kjo është përpjekje e çdo qytetari në Republikën e Shqipërisë. Sot, nëse do të bëjmë një bilanc përsa i përket vaksinimit të grupeve të riskuara, përsa i përket grupmoshës +60 vjeç, ne kemi një përqindje të mirë të mbulesës me vaksina, që është mbi 63 %. A është e mjaftueshme? Sigurisht që jo. Ndaj fokusi ynë në këto muaj duhet të jetë vaksinimi i të gjithë popullatës së targetuar dhe rritja e mbulesës vaksinale, duke synuar pikërisht ato grupe të riskuara dhe duke synuar gjithashtu që ajo çfarë ne po garantojmë për fëmijët tanë, hapja e shkollave dhe hapja e universiteteve në muajin tetor, të bëhet si një proces sa më i lehtë, në raport me situatën shëndetësore”, tha Manastirliu.
Duke folur për planin për përballimin e situatës së pandemisë në vijim, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh:
“Qeveria shqiptare ka alokuar për vitin 2021, 100 milionë euro duke përfshirë këtu edhe mbështetjen e donatorëve, të cila do të jenë në dispozicion të të gjithë skenarëve që parashikojmë në planin tonë, i cili tashmë është një plan i miratuar për pandeminë dhe impaktin post-covid, si një plan përgjigjie jo vetëm për periudhën e vjeshtë-dimrit, por në fakt si një plan përgjigjie për dy vitet në vazhdim”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë foli në Kuvend për masat që qeveria ka marrë dhe po merr, për t’iu përgjigjur nevojave shëndetësore, nëse do të ketë nevojë për më shumë kapacitete në dispozicion të situatës së pandemisë.
“Aktualisht kemi në spitale -tashmë të organizuara sipas standarteve më të mira- 1600 shtretër në dispozicion, në spitalet universitare dhe ato rajonale për t’ju përgjigjur situatave që mund të vijnë sipas skenarëve të ndryshëm që ne kemi parashikuar. Kemi një plan i cili është i mbështetur financiarisht dhe nga pikëpamja e burimeve njerëzore”, tha Manastirliu.
Në vijim të përgjigjes së pyetjes për përballimin e situatës së pandemisë në muajt e ardhshëm, Ministrja e Shëndetësisë tha se Qeveria është e angazhuar për të siguruar një përgjigje të koordinuar, duke harmonizaur çdo veprim të sistemit, në funksion të përgjigjes ndaj epidemisë, duke filluar nga testimi, diagnostikimi hershëm, sistemi i survejancës aktive në të gjithë vendin, e deri te trajtimi ambulator apo spitalor.