.

vije ndarëse

Postuar më: 04/03/2021

Rruga drejt shërimit

Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Në vitin 2013, një i sëmurë lëngonte rëndë në një sallë të zymtë operacioni.

E kishin lënë në mëshirë të fatit, pa kurim, pa trajtim, pa shpresë.
I sëmuri ishte shëndetësia shqiptare.

E kishin lënë pa kurim: Vetëm 43% të shpenzimeve në shëndetësi mbuloheshin nga financimi publik.

E kishin lënë pa trajtim: 600 mijë qytetarë të pasiguruar, duhej të paguanin qoftë edhe për një vizitë të thjeshtë tek mjeku i familjes.

E kishin lënë pa shpresë: Mungesa e ilaçeve bazë dhe serumeve; spitalet e katandisura në tregje me kafshë që kullosnin lirisht dhe njerëz që trajtoheshin si to, ishin aleatët më të mira të sëmundjes, por jo të pacientit.

Qeverisë së Partisë Socialiste iu desh të bëjë një përpjekje të jashtëzakonshme, jetëshpëtuese, për të nxjerrë nga gjendja e komës sektorin e Shëndetësisë.

Falë një strategjie largpamëse, rritëm me 77% buxhetin për shëndetësinë.

Ne e ngritëm dalëngadalë në këmbë të sëmurin që ishte shëndetësia shqiptare, të vetëdijshëm mbi të gjitha, për parimin numër numër një të një jetese të shëndetshme: Të parandalosh është më mirë se sa të kurosh.

Ishte ky parim që na vuri, na udhëhoqi në zbatimin e Programit të Kontrollit Mjekësor Bazë: ku 475 mijë persona përfitojnë falas paketën e analizave pa pagesë.

Ashtu sikurse për herë të pare, 110 mijë gra përfituan nga Programet kombëtare të depistimit të kancerit të gjirit dhe të kancerit të qafës së mitrës.

Në një vit të vështirë si ky i pandemisë, i cili ka vënë në provë tej mase të vështirë sisteme në të gjithë botën, shumëkush e ka patur kontaktin e parë me autoritetet shëndetësore, me zërin e operatorit apo me shërbimin profesional të Urgjencës Mjekësore.

E pra, ngritja dhe funksionimi i saj, investimet në flotën e re të 100 autoambulancave, sidomos në kohën e fatkeqësive natyrore, na bën të gjithëve krenarë për atë çfarë kemi bërë!

Ashtu siç na bën krenarë ndryshimi që sollëm në cilësinë e jetës së mijëra dializantëve, 8 vjet më parë, që stërmundoheshin duke bërë kilometra të tëra rrugë për të mbërritur në Tiranë.

Kemi financuar 12 qendra dialize në të gjithë Shqipërinë, të cilat kryejnë pothuaj 180 mijë seanca në vit falas.

Siç jemi krenarë që u siguruam 101 qytetarëve të kryejnë FALAS transplantin e veshkës.

Për gjyshet dhe gjyshërit tanë që përfitojnë falas paketën e kataraktës dhe lentet.

Për mbështetjen që i siguruam me Bonusin e bebes 400, 800 dhe 1200 dollarë, 72,183 familjeve që u gëzuan me fëmijë në këto dy vite.

Për fëmijët me probleme të thella të dëgjimit të cilët, prej dy vitesh përfitojnë falas ndërhyrjen e implantit koklear.

Për 36 mijë qytetarët që përfitojnë falas paketat kardiovaskulare me financim 100% nga shteti.

Për trefishimin e financimit për medikamentet për trajtimin e tumoreve. Ashtu sikurse garantuam 100% mbulim falas për gratë me kancer të gjirit, me terapitë e targetuara si herceptina apo sëmundje malinje të gjakut.

Nuk janë thjesht shifra të ftohta statistikash.

Janë jetë të mbrojtura, janë jetë të shpëtuara, janë jetë të përmirësuara, jetë të transformuara.

Janë jetë qytetarësh të këtij vendi.

Qytetarët sot, në raste urgjencash, nuk bëhen më dëshmitarë të pafuqisë së mjekëve dhe infermierëve, që në një kohë e cila nuk vjen më i prisnin me duar në xhepa, në mungesë të aparaturave.

Investuam në teknologji dhe aparatura dhe garantuam mirëmbajtjen e tyre duke siguruar me shumë shërbime afër vendbanimit për qytetarët. Rradha e pritjes për ekzaminime zgjaste me muaj, ndërsa pajisjet mund të mbeteshin jashtë funksioni, edhe me vite. Ndërsa me investimet që ne bëmë në pajisje dhe sistemet e shëndetësisë elektronike, pritja për kryerjen e ekzaminimeve radiologjike është vetëm 2 javë.

I sëmuri i tetë viteve më parë, pasi e nxorrëm nga gjendja e komës, pasi i hoqëm tubat që e mbanin në jetë, tashmë ka nisur të marrë frymë vetë, e madje edhe të ngrihet në këmbë.

Nuk ka qenë aspak e lehtë. Sepse për t’u ringritur, duhet këmbëngulje, duhet forcë, duhet durim, duhet punë.

Dhe punën ne nuk e kemi ndalur për asnjë çast, në kantierin tonë gjigand të Shëndetësisë.

Kemi përfunduar vepra të pamendueshme tetë vjet më parë. Të tjera janë në ndërtim e sipër.

Ne sot jemi krenarë, sepse kemi mbajtur premtime, edhe kur u gjendëm përballë ngjarjeve që natyra nuk të pyet kur t’i sjell.

Si me Programin Kombëtar të 300 qendrat shëndetësore që rindërtuam nga veriu në jug. 1.2 milionë qytetarë marrin shërbime cilësore në kushte bashkëkohore.

Si maternitetet e përfunduara në Korçë, Sarandë, apo ato në ndërtim në Tiranë, Berat, Lezhë, Kukës.

Si spitali i ri Kirurgjikal në QSUT, mishërim i realizimit të një ëndrre disa dekadëshe të mjekëve tanë të nderuar dhe Spitalet në ndërtim të Sëmundjeve të Brendshme dhe Spitali i Fëmijëve në QSUT.

Si spitalet e reja në Elbasan, Pediatrinë në Durrës, Poliklinikat në Vlorë e Lushnje.

Rruga e shërimit të sektorit shëndetësor do të dojë kohë por dhe vetë procesi i shërimit, do të ishte i pamundur pa limfën e tij: pa mjekët, pa infermierët, të cilëve u rikthyem dinjitetin e munguar në këto tetë vite, nëpërmjet punësimit me meritë të 3500 infermierëve dhe mbi 1200 mjekëve me portalet Mjekë dhe Infermierë për Shqipërinë.

Tetë vjet më parë, ky sistem shëndetësor vuante nga një prej vendimeve MË ABSURDE që politikëbërësit kanë marrë ndonjëherë: Bllokimin total të specializimeve. Një marrëzi të cilës i dhamë fund. Një marrëzi që shkaktoi 4 vite shterpësi. Një marrëzi, që ka kontribuar jo pak në mungesën e mjekëve në këtë vend. Ne hapëm 1700 kuota specializimesh për të plotësuar nevojat e vendit me mjekë specialistë.

Falë politikës së re të pagave, pagat për mjekët dhe infermierët u rritën me 57%, si dhe garantuam mbështetjen për çdo mjek që ofron shërbim larg vendbanimit për të përfituar bonusin 2,5 mln lekë mbi pagë.

Dhe tani, mund të tingëllojë dhe paradoksale, por e dini kush është dëshmitarja më e mirë e vërtetësisë së këtyre që përmenda më lart?

Është pandemia.

Përfytyroni për një moment, sikur këto të ishin premtime të parealizuara.

Përfytyroni sikur një emergjencë e tillë shëndetësore, si ajo e pandemisë, të na trokiste në vitin 2013.

Në shërbimet pa barna, në mjediset pa kushte bazike në spitale, në spitalet e fundosura në kënetën e madhe të borxheve, prej ku i nxorrëm që në vitin e parë.

Përballë pandemisë që pllakosi dhe sfidoi botën mbarë, qeveria shqiptare u ngrit në lartësinë e detyrës, në mbrojtje të jetës.

Në një vit beteje, mes sfidash të jashtëzakonshme në përballjen me një armik të rrezikshëm, nuk u dorëzuam për asnjë moment.

Stafeve tona mjekësore nuk u ka munguar për asnjë moment mbrojtja, as trajtimi financiar me bonus, që nga dita e pare e kësaj pandemie.

Shërbimeve në spitalet tona nuk u ka munguar asnjë medikament, pjesë e protokolleve që përdoren kudo sot në botë.

Qytetarëve nuk u kanë munguar, shërbimet e urgjencës, shërbimet në 4 spitalet Covid, shërbimet në spitalet rajonale që ne i ngritëm e fuqizuam, në përgjigje të pandemisë.

Kush bën vlerësimet, ofron kritikat apo lëshon pa teklif shpotitë për sistemin shëndetësor, duhet të mos harrojë për asnjë çast një fakt të thjeshtë:

Ky vit i fundit ka qenë luftë!

Ka qenë luftë për ata qindra e mijëra mjekë dhe infermierë, që shërbejnë pa u lodhur, e i që i kam parë të derdhin djersë dhe lot në shërbim të pacientëve.

Ky vit, ka qenë luftë për ata njerëz të dashur që i humbëm, për fat të keq, përballë një armiku të padukshëm dhe tinzar, që siç po e shohim, askush nuk e mundërka aq kollaj.

Ka qenë luftë për të gjithë ata qytetarë, që na kanë mbështetur dhe kanë luftuar bashkë me ne, si një trup i vetëm, përballë krizës shëndetsore të shekullit.

Por nuk jemi dorëzuar dhe as nuk do të dorëzohemi.

Sepse tani ka dritë në fund të tunelit.

Sepse, ne kemi nisur një fushatë, që bota po e sheh me shpresë si fillimin e fundit të pandemisë. Fushatën e vaksinimit, “Shqipëria Buzëqesh”.

Sot ne kemi mbi 15 mijë jetë të mbrojtura, duke filluar nga mbrojtja e jetëve të personelit shëndetësor. E duke filluar gjithashtu me të moshuarit +80 vjeç. Shumë shpejt do të nisim vaksnimin e grupeve të tjera pa u ndalur, deri kur çdo qytetar shqiptar të ketë marrë dozën jetëshpëtuese.

Këto janë fakte.

Sigurisht që shkopinjtë magjikë, të kujt do e vinte përfund pandeminë VETËM në këtë qoshe të globit, mbase tingëllojnë më tërheqëse se sa puna, lodhja, djersa e derdhur përditë nga një sistem i tërë.

Por ne e kemi vendosur që llafeve do i vëmë përballë punën dhe vetëm punën.

Të vetëdijshëm se me punë do realizojmë edhe ato premtime që ende nuk i kemi përmbushur.

Sepse shëndetësia është një kantier i pambarimtë.

Dhe ne të parët jemi të vetëdijshëm, se nuk kemi mbërritur ende aty ku duam.

Ne të parët jemi të vetëdijshëm për gjërat që nuk kemi bërë.

Ne të parët jemi të vetëdijshëm se sa shumë qytetarë mund të ketë që ende nuk e marrin shërbimin ashtu siç duhet dhe në cilësinë që ne duam.

Ne jemi të vetëdijshëm se ka ende qeliza të sëmura që duhen shëruar, çibanë që duhen eleminuar.

Por ne e dijmë se pas një operacioni sfidues si ky që kemi realizuar në Shëndetësi, nevojitet një terapi e gjatë dhe e kujdesshme shërimi.

Të cilën, do ta çojmë deri në fund.

Jo me receta çudibërëse dhe rrahje gjoksesh, si ato që magjepsin me fjalë dhe shastisin me vepra.

Por me punë të palodhur, çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj.

Pa u ndalur, pa u dorëzuar.