Font Resize
Contrast
.

vije ndarëse

Postuar më: 06/10/2015

Sfidat e arsimit të lartë mjekësor

Sfidat e arsimit të lartë mjekësor

Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Konferencën e III-të Pedagogjike të Fakultetit të Mjekësisë, UMT, “Sfidat e Arsimit të Lartë Mjekësor,” të organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit

Tiranë, 06/10/2015

—###—

I nderuar Rektor i Universitetit të Mjekësisë,

E nderuar Dekane, kolegë, profesorë të respektuar, profesionistë të shëndetësisë,

Faleminderit për ftesën! Përgëzime për organizimin e Konferencës së Tretë, që po kthehet tashmë në një traditë.

Së pari, më lejoni ta filloj me një lutje. Në raste të tjera të ngjashme, të paktën mos më lini të flas në fillim. Në raste të tilla unë kam më shumë nevojë të dëgjoj, se sa të flas.

Së dyti, stafi im kur më bën axhendën, zakonisht pas fjalës, më ka lënë një tjetër gjë, që do të thotë, drejtorët ikin, pastaj ikim dhe ne, dhe kamerat, kështu që përpiqemi që herë të tjera, t’i ndërtojmë ndryshe, se përveç punëve të tjera, edhe këto unë i vlerësoj si gjëra shumë të rëndësishme.

Sigurisht, kolegia (znj. Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit dhe Sportit) prezantoi kuadrin e ri të arsimit të lartë në Shqipëri. Një gjë e re, e cila ka filluar të zbatohet në periudhë tranzitore, dhe besoj se minimalisht, produkti i vërtetë i këtij ligji, do të dalë në mjekësi të paktën pas 10 vjetësh, pasi kaq është edhe një cikël i plotë i formimit universitar të një mjeku në Shqipëri.

Sigurisht, jo vetëm në Shqipëri, por po flasim për rrethanat në Shqipëri. Ne nuk mund të rrimë të presim 10 vjet, por do të duhet të punojmë përditë, për të bërë gjithësecili, sipas angazhimeve individuale, detyrën tonë për të kontribuar në këtë gjë.

Çfarë mendoj unë është se duhet bërë që arsimi i lartë në mjekësi të ndihmojë ato që janë zbatimi i politikave shëndetësore, dhe besoj se, të paktën në këtë pjesë, nuk ka aspekte partizane. Nëse kemi një qasje të caktuar si Qeveri për aksesin, ajo është juridike dhe sociale. Nuk ka shumë rëndësi nëse personi që vjen në sistemin shëndetësor është me kontribute nga paga apo mbulohet nga taksimi i përgjithshëm. Prandaj, për fat të mirë, kjo pjesë kërkon që edhe ju të jeni të përfshirë.

Por, sigurisht ato çfarë janë angazhime në Programin e Qeverisë janë të qarta: Mbulimi Universal, dhe mandej, fokusi në disa grup-sëmundje, që përherë e më tepër po kanë barrë më të madhe në sëmundshmërinë e shqiptarëve, për pasojë në shkurtimin e jetës, në zgjatjen e invaliditetit, në koston ekonomike dhe sociale në shoqëri.

Angazhimi ynë që të spostohemi sa më shumë drejt parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm, – duket pak kontradiktore me këtë ku jam sot, – të spostohemi nga sëmundja te shëndeti, nga pacienti tek qytetari, – më duket sikur do të duhet të pakësohet puna juaj e ardhshme, por që nuk do të ndodh, pasi sëmundje do të vazhdojë të ketë. Puna është t’i trajtojmë sa më lehtë, që të fokusohemi jo tek pjesa akute, por që edhe të sëmurët të vazhdojnë të bëjnë një jetë sa më produktive në shoqëri.

Pastaj, padyshim, nuk mund të mos ndalemi edhe tek kontekste që janë më të mëdhaja se ne. Ka një axhendë të OBSH-së “Shëndet2020” (Health2020). Para 9 ditësh, liderët u mblodhën në Nju Jork dhe vendosën për herë të parë, që në sfidat botërore, shëndetësia është e drejpërdrejtë. Në qoftë se kur u hartuan Sfidat e Mijëvjeçarit ishin 5 fusha, ku shëndetësia ishte indirekte, në 17 Sfidat Botërore të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030, shëndeti është i drejpërdrejtë.

Dhe padyshim, edhe këto janë orientime kryesore që duhet të ketë sistemi shëndetësor. Pastaj, vijmë në një rrafsh më lokal, më konkret: Përveç angazhimit politik, për herë të parë, pas shumë vitesh, në shkurt ISHP-ja ka prodhuar treguesit e shëndetit 2014, dhe do të vazhdojë ta bëjë. Ajo është praktikisht harta epidemiologjike e Shqipërisë, aty janë sëmundjet me barrën përkatëse, me tendencat, etj., etj.

Padyshim, aty duhet të fokusohemi. Por, nëse kjo ishte pjesa e përgjithshme dhe këto jeni në gjendje t’i kuptoni dhe t’i zbërtheni në planet tuaja të punës më mirë se unë, sigurisht ka gjëra të tjera që bëhen më konkrete, janë më afatshkurtra, që lidhen edhe me sfidat e përditshme, dhe unë besoj se këtu, ju duhet të shtoni përpjekjet për të zgjeruar më shumë atë çfarë ofroni brenda të gjithë cikleve, por edhe për të shtuar pak trupën me nivele të larta shkencore, sepse të paktën, unë konstatoj se në 3-4 shërbime, ka një boshllëk të madh në breza. Domethënë, sigurisht që është rënë dakort, një drejtues shërbimi duhet të ketë një gradë të caktuar, praktikisht janë disa shërbime në QSUT ku mungon kjo gjë.

Nuk po ju them të prishni afatet, por përgjithësisht, duhen nxitur, që të fillojë ndoshta pas 10 viteve, kjo situatë të jetë zbutur. Apo për shembull, në grupin e kirurgjive, ka lindur nevoja apo ka ardhur momenti, që të fillojmë të kemi specializime më të ndara, të paktën në traumë, në urologji, kirurgji pediatrike dhe kirurgji vazale; a do të bëni shkolla 4-vjeçare, apo pas 4 viteve të kirurgjisë, fillimisht, do bëni një të tillë, apo një tjetër, e kështu me rradhë.

Kjo është një gjë, dhe madje këtu, thashë më shumë se ç’duhet, as nuk e njoh, e as nuk më takon. Por, ama, nevoja më bën që të ndeshem me këtë situatë. Nuk po e quaj boshllëk, se nuk është boshllëk, edhe në traumë, edhe në urologji, edhe në pediatri, edhe në kirurgji vazale, mjekohen shumë mirë shqiptarët përditë. Por, besoj se në një horizont afatgjatë, – që për fat të mirë, gjithmonë është më shumë se një mandat qeverie, kështu që edhe tek kjo nuk ngatërrohemi fare në punën tuaj, – na duhet të plotësojmë.

Ashtu siç filluam vjet një gjë, ku rikuperuam një boshllëk me specializimet, – praktikisht nesër miratojmë vendimin e qeverisë, në mënyrë që të fillojmë përgjithësisht të plotësojmë çdo vit, por vazhdojmë të na duhen shumë mjekë: 300 specialistë mungojnë në Shqipëri, nga Tirana e kudo, – boshllëqe të mëdha në pediatri, në kardiologji, në reanimacion, në imazheri.

Sigurisht, puna më do që të shoh gjysmën bosh, se edhe gjysma plot është shumë e madhe. Besoj se brenda këtij muaji, do t’i dalim për zot urgjencës kardiake në Shqipëri, shërbimit 7 ditë në javë-24 orësh, veç gjithë të tjerash, sepse shkolla juaj ka arritur të prodhojë profesionistat, sado të kishim ne pajisje më shumë, buxhet më shumë, materiale mjekimi më shumë, pa mjekët s’do të mund ta bënim.

Nëse në pranverë do të fillojmë urgjencën cerebrale “Stroke Unit”, veç të tjerash, është sepse ju jeni në gjendje të prodhoni profesionistë që janë në gjendje ta bëjnë këtë gjë. Por, sfidat janë edhe më të mëdha. Dhe sigurisht, këto janë ato çfarë unë konstatoj, ka edhe të tjera, por po i përdor për për ilustrim, pa dashur të privilegjoj apo të diferencoj dikë tjetër, gjërat që në punën e përditshme, në detyrën që bëj, identifikohen.

Pastaj, sigurisht, unë kërkoj kontributin tuaj edhe në gjithë ciklin e edukimit në vazhdim. Jo thjesht formalisht, universiteti është në Bordin e Riçertifikimit, por praktikisht me ju do të bëjmë edhe këto programet  5-vjeçare të riçertifikimit për ata që s’do të plotësojnë kreditet. Por, sigurisht që na duhet shumë më tepër me mjekët në të gjithë territorin.

Dhe po ju zbres një gjë për një ilustrim shumë më të thjeshtë: Unë këtu shoh Prof. Kriston, mua më ka mjekuar para 45 vjetësh. Pediatri i sotëm çfarë duhet të dijë më shumë se pediatri i para 45 vjetëve? Unë jam gjallë sot, shëndosh jam, por prapë, fëmijët e sotëm kërkojnë më shumë, është normale. Nuk jeton më Prof. Gjylbegu, ka asistuar lindjen time, lindjen e vajzës time. Po gjinekologët në të gjithë territorin e Shqipërisë, çfarë duhet të dijnë më shumë se ç’ka ditur Prof. Gjylbegu para rreth 50 viteve, ku atëherë kishte edhe një moshë të re. Ime më e ka zbuluar kancerin e gjirit me të prekur, që nuk bëhet në QSUT, bëhet në territor tek mjeku i familjes, tek mjeku specialist.

Nëse sot, sëmundjet tumorale kanë një rritje kaq të madhe, çfarë duhet të dinë mjekët? Dhe këtu ata janë mjekë, nuk mund t’i kthejmë në bankat e shkollës. Edukimin në vazhdim, praktikisht, ju duhet të merrni përsipër ta udhëhiqni, bashkë edhe me shoqatat e profesionistëve, që ju i keni dhe unë jam përpjekur të kem një bashkëpunim të mirë dhe t’i ndihmoj në kushtet e shtrënguara të buxhetit tonë. Ministria e Shëndetësisë është në gjendje për diçka të tillë – edhe në kushtet kur përgjithësisht, një pjesë e atyre, që në fakt përdoreshin në kuptimin e mirë për ju, nga shoqëritë farmaceutika, me shtrëngimin e buxheteve, po bëhen gjithmonë e më të rrudhura.

Praktikisht, në këto tre mënyra, unë do të mund t’ju kërkoja ndihmën tuaj për të orientuar zhvillimin e arsimit të lartë, pra diçka më programore dhe nacionale, por edhe diçka shumë më të thjeshtë, sepse në fund të fundit, gjërat që të kenë rezultat, unë mendoj se duhet të fillojmë t’i bëjmë edhe nga pak përditë, përveç gjërave të mëdhaja.

Nuk dua të zgjatem më shumë, edhe njëherë faleminderit për organizimin dhe për ftesën!

Punë të mbarë!

—###—