Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar edhe nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, zhvilluan një bashkëbisedim me të moshuar në Gjirokastër të cilët janë edhe përfitues të shërbimeve mjekësore e paketave shëndetësore falas.
Ministrja Koçiu ka theksuar se “rikonstruksioni i spitalit të Gjirokastrës që fillon brenda këtij viti është lajm i mirë në mozaikun e shërbimeve socio-shëndetësore”.
“Këtë vit nis rikonstruksioni dhe me rikonstruksionin do të fuqizohet flota e pajisjeve dhe burimeve njerëzore për të ofruar shërbime akoma më të mira dhe më cilësore për të gjithë qytetarët e Gjirokastrës dhe qarkut në tërësi. Dhe po ashtu për të gjithë turistët apo vizitorët e këtij qyteti të bukur, të cilët do të kenë nevojë për askses në shëndetësi”, tha Koçiu.
Ministrja theksoi se po vijojnë përpjekjet për kujdes shëndetësor në shtëpi për të moshuarit.
Sipas saj, ky shërbim aktualisht ofrohet në 131 qendra shëndetësore, por do të shtrihet në të gjithë vendin.
“Kemi fishat e diabetit që i ofrojmë falas dhe ka një seri shërbimesh që ofrohen 100% falas. Ne po bëjmë një përpjekje që për të moshuarit të ofrohet shërbimi në banesë. Çdo lloj nevoje që do kenë të moshuarit, për analiza, vaksina, etj, të bëhen në banesë, jo të qëndrojnë në radhë nëpër qendrat shëndetësore. 131 qendra shëndetësore e aplikojnë dhe jemi duke punuar që ta ofrojmë këtë mundësi në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit”, tha Koçiu.
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.