Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor prezantuan sot (5/4/2014) gjashtë paketat e reja të shërbimeve shëndetësore për kardiologjinë dhe kardiokirurgjinë invazive. Pacientët do të mund ta marrin tashmë këtë shërbim falas jo vetëm në spitalet publike, por për herë të parë edhe në spitalet private.
Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqja, tha në takimin e organizuar për këtë qëllim, se këto paketa do të kalojnë për miratim në Këshillin e Ministrave. “Unë dua të them se çfarë do të bëjmë ne që këto paketa jo vetëm të jenë të realizueshme por si të plotësojmë atë boshllëk që u prezantua. Spitalet publike dhe private u pa qartë që nuk shkojnë më shumë se 60%. Dhe ne e krahasuam me vendet e rajonit, vende të përafërta me ne.
Së pari garantoj se nuk do të ketë më materiale mjekimi që do të lënë për të dëshiruar. Së dyti, deri në fund të vitit vëmë në punë reaminacionin e spitalit “Shefqet Ndroqi”. Është e sigurt se materialet e mjekimit për këtë vit janë 30 % më shumë. Në këtë fazë po programojmë fondet që një radiografinë ta zëvendësojmë dhe të vendosim një anglograf në Shkodër. Sepse është i rëndësishëm për shëndetin, një ndërhyrje më kohë pakëson pasoja të tjera, ne duam ta spostojmë punën mbi të cilin është ndërtuar shërbimi shëndetësor nga sëmundja drejt shëndetit. Potencialisht është e pamundur të realizohet i gjithi, por këtë sipërmarrjë do e ndërmarrim për ta realizuar në një pjesë të mirë të saj”, tha ministri Beqaj.
Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takim.
—###—
Mirëdita të gjithëve.
E nderuar znj. Spahiu, megjithëse për nga pozicioni ku jeni ulur jeni mesa duket jeni mes kardiologëve, jo mes politikanëve.
I nderuar z. Beci, Prof. Asqeriu, Prof. Godo, profesorë e mjekë të nderuar, punonjës të Fondit,
Sigurisht që edhe unë do ta filloj me një falenderim për të gjithë punën e mrekullueshme dhe kontributin shumë të vyer që keni dhënë për të arritur deri në këtë pikë. Praktikisht ne po mbyllim hartimin e disa paketave shumë të rëndësishme, të cilat që në fillim të vitit i deklaruarm, i përfshimë në buxhetin fillestar dhe që jemi gati të fillojmë t’i vemë në zbatim. Sigurisht hapat e tjerë do të jenë të afërt, në datën 18 Prill në mos gaboj do të kemi mbledhjen e Këshillit Administrativ të Fondit për të miratuar paketat dhe pastaj t’i kalojmë në Këshillin e Ministrave për t’i miratuar nga qeveria për t’i bërë të zbatueshme.
Ju kujtohet, që kur kemi prezantuar Programin e Qeverisë, kemi thënë midis të tjerash, janë dy grup sëmundjesh ku do të mëshojmë më shumë: sëmundjet tumorale, sëmundjet kardiake e kardiovaskulare. Në këtë sipërmarrje, janë 3 komponentë të rëndësishëm, është Fondi, i cili ka në dorë instrumentin e realizimit; janë shërbimet universitare që i skicojnë dhe i përcaktojnë dhe padyshim është edhe Ministria, që ka rolin e politiave shëndetësore. Unë shumë shkurt, dua të them se çfarë do të bëjmë ne, që këto paketa, jo vetëm të jenë të realizueshme, por si mund të fillojmë edhe brenda këtij viti atë boshllëk që praktikisht u prezantua. Institucionet publike dhe jopublike shqiptare, sot, u pa qartë se nuk shkojnë më shumë se 60% e nevojave të vendit.
Mund të jenë nevoja edhe të fshehta, sepse ne kemi marrë se çfarë bëjnë vendet e rajonit, vendet jo shumë të zhvilluara, por vendet që kanë një profil demografik të ngjashëm, një zhvillim ekonomik pak më të mirë se tonin, dhe një mjedis gjeografik-klimatik që ndikojnë tek sëmundjet të përafërta me tonat. Duhet të pranojmë se nuk kemi të dhëna shumë të përkryera për një profil të qartë epidemiologjik të kësaj sëmundje dhe në përgjithësi të sëmundjeve tona. Kështu që, së pari, unë u garantoj profesor Godos dhe të gjithë profesionistëve të shëndetësisë që nuk do të ketë më materiale mjekimi që do të lenë për të dëshiruar.
Së dyti, me buxhetin e këtij viti, besoj deri në fund të verës, e vemë në punë reanimacionin në Spitalin “Shefqet Ndroqi” që bën pastaj të mundur praktikisht vënien në punë të angiografit atje. Nuk po ndalem shumë, se ndoshta drejtoresha e QSUT do të thotë se kush është plani që brenda vitit shërbimi të kalojë 24 orësh. Është e sigurtë që në procedurat e prokurimit që po bën QSUT, materialet e mjekimit për këto, janë këtë vit janë 30% më shumë se ç’kanë qenë vitin e kaluar dhe gjithashtu, meqënëse jemi në fazën që po përgatisim buxhetin afatmesëm 2015-2017, që në këtë fazë, po programojmë Fondit, që vitin e ardhshëm që njërin angiograf në QSUT ta zëvendësojmë, sepse është i ’96 dhe ishalla duron deri vitin tjetër ai dhe të vendosim një angiograf në qytetin e Shkodrës, që vitin tjetër në mënyrë që të fillojmë ta bëjmë këtë shërbim, jo vetëm shërbim kryeqyteti, sepse është i rëndësishëm në radhë të parë për shëndetin e qytetarëve.
Së treti, sepse sot është e provuar shkencërisht që një ndërhyrje në kohë, jo vetëm që zgjat jetën, jo vetëm zgjat periudhën e shëndetshme të jetës, por na pakëson pastaj sëmundje të mëtejshme, trauma të mëtejshme, invaliditete të përhershme, skema rimbursimi të përhershme, që sado t’i përmirësojmë , ngelen në fund të fundit, skema të cilat merresh me sëmundjen. Ne duam ta spostojmë polin, i cili është ndërtuar dhe funksionon sistemi i kujdesit shëndetësor, nga sëmundja drejt shëndetit. Sigurisht që plotësisht është mision i pamundur, por sa më shumë të fillojmë të bëjmë veprime me qytetarin që nuk është akoma pacient, sa më shumë ta zgjerojmë këtë marrëdhënie, është e sigurtë që në radhë të parë është shëndeti i qytetarëve, investim kapitali njerëzor që përkthehet qartësisht në zhvillim ekonomik të vendit, por padyshim, edhe me elementë të kohezionit social, sepse këtu ka gjëra që kur ndodhin pastaj, ka sot familje në Shqipëri jo të pakta që i kalojnë në varfëri, nuk janë sot pjesë e mbulimit nga sigurimet. Sigurisht që, do ta bëjmë gjithë këtë sipërmarrje edhe në institucionet jopublike, t’i kemi komplementarë në përmbushjen e misionit.
Foli pak pak profesor Artani në fund, që kur të miratojmë paketat në Këshillin e Ministrave, do të miratojmë edhe një normë fitimi në të cilën institucionet jopublike e përdorin si çdo lloj fitimi, institucionet publike do ta përdorin si një e ardhur dytësore dhe do të vendosin bashkarisht ato me Fondin se kush do të jetë kuadri, rregullat e përdorimit të tij. Sigurisht që unë i garantoj institucionet publike, që këto para nuk do t’i përdorim për investime, investimet do të vazhdojë t’i marrë përsipër Qeveria nga buxheti i përgjithshëm i shëndetësisë, që financohet sot me kontribute dhe taksa, nesër vetëm me taksa.
Edhe njëherë faleminderit për punën e mrekullueshme deri tani, për angazhimin shumë serioz dhe sigurisht që, besoj se brenda një periudhe të afërt do të fillojmë të funksionojmë kryerjen e paketave nëpërmjet këtij mekanizmi të ri të financimit.
Faleminderit!
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.