.

vije ndarëse

Postuar më: 24/04/2015

Shërbimet publike dhe jopublike, komplementarë për një ofertë unike shëndetësore

Shërbimet publike dhe ato jopublike, partnerë e komplementarë për një ofertë unike të kujdesit shëndetësor

Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Kongresin Mjekësor Multidisplinor, me temë: “Edukimi në Vazhdim përmes profesionistëve të Mjekësisë,” të organizuar nga Spitali Amerikan në Tiranë, 24/04/2015

—###—

Mirëdita!

Faleminderit në rradhë të parë organizatorëve për organizimin, së dyti për ftesën, por së treti, edhe komplimente. Komplimente, sepse edhe në këtë detaj të vogël të fillimit të këtij aktiviteti, evidentohet ende një përparësi që institucionet jopublike kanë ndaj institucioneve publike. Zëvendëskryeministri (z. Niko Peleshi, Zëvendëskryeministër) e tha se (shën. red., shërbimet jopublike spitalore) do të jenë gjithmonë një hap përpara. Unë besoj se është e rëndësishme që ta çojmë publikun sa më lart, që hapi më lart, të jetë sa më afër më të mirës që kërkojnë qytetarët shqiptarë.

Pse po e them komplimente? Është hera e parë që jam në një aktivitet të madh me mjekë, ku mjekët vijnë në orar. Unë jam po ai, mjekët janë po ata, të tjerat i ka organizuar ministria, këtë e organizon një spital privat, që do të thotë se nëse unë kam qenë i mërzitur me mjekët, me sa duket nuk qenka faji i mjekëve, por është faji i stafit tim, që edhe në këtë detaj të vogël të organizimit është akoma një hap prapa ndaj privatit.

E thashë këtë, sepse unë besoj se në kontekstin shqiptar, por besoj edhe në kontekste të tjera, të paktën unë që kam marrë përsipër të bëj detyrën e ministrit të Shëndetësisë, e shikoj ofertën e shërbimit shëndetësor si një të vetme.

Më drejtorin Allajbeu (Dr. Klodian Allajbeu, Drejtor Ekzekutiv i Spitalit Amerikan), unë kam një polemikë prej vitesh që me atë nuk pajtohem në një gjë, që publiku dhe jopubliku garojnë. Për mua jo! Të paktën për filozofinë time, por edhe Programin Politik të Partisë dhe Qeverisë që unë përfaqësoj, nuk i shohim si garë, i shohim si komplementare: herë në burime njerëzore, shumë më tepër në mënyrën e menaxhimit, padyshim edhe në hapin më të shpejtë  të paktën të financimit.

Por, besoj se duhet të pranojmë, se nëse këtu u fol, – dhe është realitet për një eksperiencë 8- ose 9-vjeçare të Spitalit Amerikan, – besoj se duhet të jetë e tillë. Shumica dërrmuese e shërbimit jepet nga specialistë shqiptarë, nga profesionistë të shëndetësisë shqiptare, që do të thotë se ka akoma më shumë hapësirë për sinergji.

Së dyti, vetëm një merak kam, që nuk do doja që në fund të ditës të kishte lajme që në filan vend mungoi kujdesi shëndetësor, sepse u detyruan të shkonin me ministrin në një konferencë me Spitalin Amerikan, shpresoj që kjo të mos ndodhë të paktën.

Ndërkohë, momenti i organizimit të aktivitetit, është shumë i rëndësishëm, sepse është tamam momenti kur ne po vlerësojmë eksperiencën 5-vjeçare 2010-2014 të ciklit të parë të edukimit në vazhdim, po analizojmë atë dhe është momenti kur po ndërtojmë ciklin e ardhshëm. Dhe unë besoj se, çfarë do të jetë sot, do të jetë përsëri një vlerë e shtuar. U tha këtu para pak, se konferenca është kombëtare, por në fakt është ndërkombëtare, – minimalisht ndërkombëtare, se ne shqiptarët jemi në 3 shtete, edhe pse jemi një komb.

Unë besoj se, është shumë e rëndësishme, që edhe në edukimin në vazhdim, ashtu edhe në disa gjëra të tjera, ne duhet të ndërtojmë të paktën – nëse sistemet zhvillohen ndryshe, – një ofertë unike të kujdesit shëndetësor në trojet shqiptare, publike dhe jopublike.

Sepse në rradhë të parë, në një botë më të hapur, qytetarët jo vetëm kërkojnë më shumë, po janë me shumë më tepër informacion.

Së dyti, për të krijuar dhe një masë kritike. Kjo ofertë është për rreth 5 milion pacientë, që do të thotë se ne duhet të biem dakort, dhe sigurisht detyra është e Qeverisë, e imja, e Zëvendëskryeministrit, e kolegëve kosovarë në qeveri, që qendrat e ekselencës, të mos i konkurrojmë, por t’i ndërtojmë fillimisht komplementare, nëse ne jemi disa hapa më përpara. Po marr një specialitet të caktuar, pa e cituar për të mos u keqpërdorur, – ata i kanë mundësitë që, nëse fillojnë një gjë të re, të fillojnë aty ku ne jemi pak më mbrapa. Ne i kemi hedhur hapat e parë, – kryesisht në neurokirurgji dhe kardiokirurgji, – të bashkëpunimit, por këto hapa mund t’i shtrijmë më tej. Dhe besoj se duhet t’i shtrijmë jo vetëm në pjesën e shërbimit terciar, por edhe në pjesën bazë.

Ne duhet të punojmë, që urdhërat e mjekëve në të dy vendet të kenë të njëjtën mënyrë të çertifikimit të profesionit, që të paktën midis dy vendeve, ushtrimi i profesionit këndej apo andej kufirit të jetë i lehtë, të mos kërkojë sa herë që të vijë dikush një proçedurë riçertifikimi, po të themi të domosdoshme, por relativisht burokratike të homologimit nga urdhërat respektivë.

Së treti, unë besoj se duhet të shohim pozitivisht përpara, edhe me debatin e zhvilluar 3 muajt e fundit, lidhur me vlerësimin e njohurive, sepse unë ndjej që ka një konsensus të përbashkët, që po na duhet një përmirësim i njohurive.

Atëherë, këtë qëllim dhe këtë konsensus të përbashkët, të mos e kompromentojmë me mënyrën se si (shën. red., duhet të kryhet ky proçesi i përmirësimit të njohurive). Besoj se gjithë ajo kohë që është përdorur nga profesionistët  e shëndetësisë, por edhe nga ne në administratë, për t’i shpjeguar njëri-tjetrit në shkurt dhe në mars, mund të ishte përdorur më mirë për të përmirësuar proçesin e ardhshëm.

Ndoshta këtu, edhe publikisht, unë mund ta filloj me një autokritikë, ndoshta shpalljen e këtij veprimi duhet ta kisha filluar nëpër takime më të vogla, edhe nëpër rrethe të Shqipërisë, për të mos e lënë gjithçka vetëm në Tiranë, në kryeqytet apo në QSUT.

Dhe e përsëris, sigurisht që në të ardhmen e afërt, besoj se në të ardhmen e afërt do të duhet të reflektojmë sidomos për përmbajtjen e sistemit të vlerësimit, e të ardhmes dhe ndoshta, – meqënëse javët e afërta përkojnë me zgjedhjet vendore, -po ne shqiptarët vazhdojmë t’i jetojmë shumë zjarrtë shumë zgjedhjet, – duhet ta spostojmë edhe nga ky proçes zgjedhor.

Edhe njëherë faleminderit për ftesën, komplimente për organizimin, punë të mbarë dhe suksese!

—###—