DOKUMENTET E BASHKANGJITUR
Tiranë, 13/10/2014 – Ministrit i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, ishte i ftuar sot (13/10/2014) të merrte pjesë në “Forumin e Hapur të Biznesit” lidhur më problematikën e tregut farmaceutik në vend, të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në bashkëpunim me KEK (Këshillin Ekonomik Kombëtar) dhe Shoqatën e Përfaqësive Farmaceutike (SHPF).
Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takim.
—###—
Së pari, një falenderim për organizatorët, për nismën e organizimit të këtij takimi. Besoj se ne i’u përgjigjëm goxha shpejt, qoftë kërkesës, apo qoftë formatit, pavarësisht disa shtrëngesave të ditës së hënë, që përgjithësisht është pak e shtrënguar.
Në fakt, për të folur për tregun, keni gjetur personin më pak të përshtatshëm, sepse të paktën, kushdo që jeton në Shqipëri, ka dëgjuar që në kujdesin shëndetësor, nuk duhet të flasim për treg. Që të flasim për treg, nuk është koncepti në Shqipëri, ose të paktën në atë program politik, dhe sidomos qeveritar, që është i miratuar dhe është në zbatim prej më shumë se një viti. Për arsyen e thjeshtë, sepse të paktën për ne, kujdesi shëndetësor nuk është mall. Në treg ka mallra, ka shërbime, pra nuk është mall, për ne është e mirë publike. Dhe brenda kësaj të mire publike, ne kemi një vizion dhe një program për të realizuar.
Ne kemi zgjedhur, që sistemi i kujdesit shëndetësor në Shqipëri, do të shkojë drejt Mbulimit Universal (shën. red., Universal Health Coverage). Dhe, këtë e kemi thënë edhe kur ishim në opozitë. Por, të paktën, kushdo që e ka interesin, vëmendjen dhe ndjesinë për ta ndjekur, sot, Universal Health Coverage është në axhendën e të gjitha qeverive.
Sigurisht, organizata ndërkombëtare lider në fushë (OBSH – Organizata Botërore e Shëndetësisë), i ka dhënë botës mbarë një target, vitin 2030. Nuk është sfidë e lehtë. Ne jemi të vetëdijshëm që sistemi shëndetësor ofrohet nëpërmjet operatorëve të ndryshëm, të cilët, padyshim, funksionojnë sipas mekanizmave të ekonomisë së tregut, dhe që padyshim, kanë në rradhë të parë qëllimin e tyre, normalisht, fitimin.
Ajo që në fakt, jashtë kontekstit të takimit nuk më vjen fort mirë, është që edhe pse kemi të pranishëm përfaqësues shtëpish farmaceutike, askush nuk e ka ndjerë të nevojshme t’i bashkohet muajit për ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, që gjej mundësinë t’i bëj thirrje të gjithëve: Është një sfidë botërore, mirë është të mos mungojmë asnjë sekondë për ta bërë këtë gjë.
Në programin e qeverisë, në fakt, në pjesën e ekonomisë, jemi angazhuar jo vetëm në shëndetësi, por përgjithësisht, për të garantuar konkurencën e ndershme dhe për të eleminuar monopolet. Sepse, gjykojmë që monopolet e kishin ngërthyer ekonominë shqiptare në të gjitha aspektet.
Shpesh-herë vinim re që ndryshimet e induktuara ndërkombëtare, përgjithësisht në Shqipëri, pasqyroheshin vetëm në një kahje. Kur rriteshin çmimet, rriteshin dhe këtu, kur uleshin çmimet atje, nuk uleshin më këtu. Por, specifikisht, në pjesën e kujdesit shëndetësor, kur kemi folur për barnat, së pari, kemi shprehur në program që, konstatohet se barnat në Shqipëri janë ndjeshëm më të shtrenjta se sa në vendet e BE-së. Jemi angazhuar se nuk do të kemi asnjë produkt farmaceutik të regjistruar, që do të shitet më shtrenjtë në Shqipëri se sa në vendet e origjinës.
Ndjesë që po e përsëris diçka që është kollaj në dokumentat zyrtare, por besoj se është e rëndësishme në kontekstin e këtij takimi që jemi sot. Ashtu siç jemi angazhuar të bëjmë një reformë të plotë edhe në këtë pjesë të kujdesit shëndetësor, qoftë ligjore, qoftë rregullative, qoftë administrative, duke filluar të përdorim edhe këtu elementë të rëndësishëm të teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit.
Në fakt, sot që bëjmë këtë takim, besoj se kanë kaluar rreth 40 ditë, nga momenti që kemi një ligj të ri për barnat dhe për shërbimin farmaceutik në Shqipëri. Eshtë një ligj që, sigurisht, nëse ka 40 ditë që zbatohet, nuk është krijuar për të patur as 40 ditë, as 40 javë, por për të patur sa më shumë qëndrueshmëri në kohë.
Të interesuarit e dinë që përpjekjet zyrtare për t’u marrë me këtë punë, kanë filluar më 21 Nëntor 2013, kur unë jam drejtuar zyrtarisht, të parin kam gjykuar të interesuarin. Në atë kohë, kërkuam të diskutonim për amendimet e ligjit. Në rrugë e sipër, e pamë që ndryshimet ishin shumë të nevojshme, saqë s’kishte më vend për ndryshime ligji, por ishte e nevojshme të kishte një ligj të ri. Por, tashmë është një realitet që kemi një ligj të ri për barnat dhe shërbimin farmaceutik. Kemi për herë të parë në Shqipëri, një ligj për pajisjet mjekësore dhe të dy këto ligje, do të fillojë t’i administrojë një agjenci e re, “Agjencia e Barnave dhe Materialeve Mjekësore”.
Nga 21 Nëntori e deri më 31 Korrik, kur është momenti kur ligji u miratua në seancë plenare, ka kaluar një periudhë 8-mujore, ku sigurisht ka patur diskutime të ndryshme, propozime, gjëra që janë marrë parasysh, gjëra që nuk janë marrë parasysh. Por, edhe në proçesin e diskutimeve në Kuvendin e Shqipërisë, nga projektligji i propozuar dhe dorëzuar në Kuvend nga Qeveria, deri në atë që u miratua në seancë plenare, ndodhën edhe shumë ndryshime të tjera, dhe tashmë kemi një ligj, i cili ka filluar të zbatohet.
Megjithatë, edhe gjatë kohës që ligji diskutohej, edhe gjatë kohës që ligji ka hyrë në fuqi, edhe pse ka një periudhë fillestare prej 6 muajsh që Kuvendi i ka lejuar Qeverisë që të ngrejë të gjithë aktet nënligjore në zbatim të tij, problematikat e hasura kanë qenë të ndryshme. Sepse ne trashëguam një situatë skandaloze në Qendrën Kombëtare të Kontrollit të Barnave, situate, të cilën jemi përpjekur ta përmirësojmë, ta zbusim dhe unë pranoj sot që, ende ligjërisht, nuk e kemi arritur 100%. Sepse, vetë volumi i punës është i tillë që nuk e lejon këtë gjë, por një nga problemet që ka qenë, regjistrimi i barnave, besoj se sot është shumë më i stabilizuar.
Dhe, nisur nga përgjithësisht formati i atyre që e kërkuan takimin e sotëm, unë mund t’ju them, se për një pjesë të kompanive që janë sot prezent dhe janë edhe pjesë e shoqatës, ja çfarë ka ndodhur me regjistrimin e barnave…[shën. red., shih shpjegimet në prezantimin bashkëlidhur këtij dokumenti] dhe për të paktën këto kompani, nuk ka sot asnjë kërkesë që ka kaluar nga afati 6-mujor i regjistrimit.
Për mua është një arritje jo e vogël, në funksion të instalimit të kulturës të zbatimit të ligjit, por edhe sidomos të mos keqpërdorimit të ligjit për të krijuar situata të pafavorshme antikonkurence. Dhe ndërkohë, siç mund ta shihni, aty kam marrë kërkesat e vitit 2011 dhe 2012-ës.
Ndjesë nëse do të shpreh tani mungesë modestie, unë jam marrë shumë edhe në opozitë, edhe me çështje të shëndetësisë dhe të ekonomisë. Për fat të keq, s’kam dëgjuar ndonjë njeri të ankohet që kishte 2 vjet pa i’u regjistruar bari, megjithatë kjo ka qenë zgjedhja e operatorit. Unë nuk e bëj këtë, që operatorët të thonë, që po e realizojmë, por e bëj që të zbatoj ligjin në atë ministri të cilën drejtoj.
Një tjetër problem shumë i diskutuar gjatë këtij viti ka qenë se “nuk marrim pullat, nuk na japin pullat”. Por, kush është rregulli i ri? Po krahasojmë dy nëntëmujorët: Janar-shtator 2013 me janar-shtator 2014. Këtë vit, sasia e pullave të emëtuara është 10% më e madhe. Sigurisht, ka patur probleme, objektive dhe subjektive. Ka qenë shumë i ngarkuar muaji maj, për një arsye që ishte e pashmangshme. Nëse vendosëm që në 1 Prill 2014, do të hiqnim TVSH-në e barnave, për mua normale, nga pozitat e tyre, shumë operatorë i kufizuan importet deri më 31 Mars. Gjithmonë, sepse kishin frikën, se pastaj kur të hiqej TVSH-ja, si do të bëhej rimbursimi.
Dhe është e vërtetë, në maj dhe në qershor, një punë që duhej bërë në pesë muaj, u përqëndrua në dy muaj. Kur përkoi edhe në 1 Prill me listën e re të rimbursimit, ku u futën edhe barnat që s’kishin qenë, por përkoi qershori me fillimin e furnizimit të spitaleve me kontratat që bën Ministria për spitalet. Dhe padyshim, për ne si Ministri, furnizimi i spitaleve është primar, furnizimi i tregut me barna të rimbursueshme, sidomos me ato të rejat, sidomos me alternativat më të lira, është primar. Ndërsa, në pozitat e operatorëve, kontrata e spitalit është 100% e sigurtë, bari më i lirë është 100% i sigurtë dhe me të drejtë kërkojnë që të kenë pulla sa më shpejt, për ato barna të cilat janë në pozita konkuruese me kontraktorët e tretë.
Por, kushdo qoftë perceptimi, që pengohen të marrin pulla barnash, por po ju them, (krahasimi) nëntë muaj me nëntë muaj janë 10% pulla më shumë të emetuara. Megjithatë, vërtet ne kemi një ligj të ri, por unë konstatoj që të paktën kemi ende tre probleme themelore, të cilat do të duhet t’i trajtojmë.
Unë si ministër dhe ne si ministri jemi të vendosur të vazhdojmë atë linjë të programit, që ju paraqita në fillim. Shqiptarët nuk kanë pse i blejnë barnat më shtrenjtë se në vendet fqinjë, apo më shtrenjtë se në vendet e origjinës, sepse të paktën Shqipëria nuk është më e zhvilluar se këto vende dhe shqiptarët nuk janë më të kamur se këto vende.
Në dhjetor 2013, në një konferencë të organizuar për antikorrupsionin, sipas të dhënave paraprake që kishim arritur të merrnim në muajt e parë të fillimit të punës si qeveri, ne kishim një përshtypje që, rreth 24 milion dollarë në vit, mbeteshin si discount-e nën çmimet e rëna dakort midis shtetit dhe prodhuesve; për ne, në mënyrë të papërligjur.
Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2014, kemi bërë një analizë të detajuar të çdo fature. Dhe nëse për 6-mujorin, importi është 50 milion euro, sipas çmimeve “CIF”, por realisht, ka patur një discount me rreth 7,7 milion euro, do të thotë që, edhe pse vjet në nëntor-dhjetor, ramë dakort për disa çmime “CIF”, prodhuesit u japin jashtë dakortësisë me qeverinë, tregut dhe hallkave të tjera të lidhura me zinxhirin e tregut, një discount që rezulton rreth 15,4% në mënyrë mesatare.
Me arsyetimin që, gjashtë-mujori i dytë i këtij viti, pati padyshim volum të madh të importit të barnave, për faktin se në tremujorin e parë u hoq TVSH-ja, për faktin se lista e re e barnave të rimbursueshme hyri me 1 Prill dhe se në gjashtëmujorin e dytë operuam 100%, në gjashtëmujorin e parë operuam gjysëm për gjysëm, ne çmojmë që tregu i barnave, këtë vit do të jetë të paktën 100 milion euro. Me discount-in 15,4% do të thotë, që vlera si discount që mbetet në mënyrë të papërligjur në hallkat e ndryshme të zinxhirit të tregëtimit, do të jetë 17 milion euro, apo 22 milion dollarë.
Nëse shtëpitë farmaceutike i kanë këto discount-e, hajdeni fillojmë me 1 Nëntor proçesin e rinegocijimit, s’ka pse të mos negocijoni me Qeverinë për këtë gjë, sepse ky është formati. Për ata që nuk e kanë këtë informacion, tregu i barnave në Shqipëri është treg i rregulluar, nuk është treg krejt i lirë. Pra, nëse shtëpitë farmaceutike bien dakort me Qeverinë, që në vitin e ardhshëm do të jetë ky çmim importi, – ka disa marzhe tregtimi që rregullohen po me vendim qeverie, – dhe kështu rregullohet çmimi i barit në Shqipëri.
Së dyti, ne konstatojmë, që të paktën deri më sot, në krahasim me disa vende referente, që janë të zgjedhur për krahasim, shqiptarët i blejnë barnat më shtrenjtë. Aty keni një shembull… [shën. red., shih shpjegimet në prezantimin bashkëlidhur këtij dokumenti]. Po ju tërheq vëmendjen me shembullin e parë vaksinën e gripit, meqënëse tani kjo vaksinë fillon e bëhet e ndjeshme, është 1,5 herë më e shtrenjtë në Shqipëri.
Po kështu, kam një kompani tjetër që ka këto çmime barnash, po kështu një tjetër, e një tjetër me rradhë… Kushdo që është i interesuar, mund të marrë një informacion më të plotë pranë Ministrisë, pranë Agjencisë së Barnave.
Një moment i tretë, i sikletshëm për mua, është furnizimi në mënyrë të plotë i spitaleve me barna. Pas katë proçedurash prokurimi, ende nuk kemi arritur të plotësojmë 100% kërkesat e shërbimit spitalor, kryesisht të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, sepse pas katër proçedurash prokurimi , 88 barna nuk janë ofruar nga tregu.
Por, le të flasim për 39 barna, që janë barna të regjistruara. 39 barna të regjistruara, operatorët nuk i shohin me interes t’i sjellin, edhe pse prej tyre rezulton që i importojnë, pra në tregun e pakicës këto barna gjenden, në spital zgjedhin të mos i furnizojnë. Mund të jetë më se e vërtetë që nuk kanë interes, pra ato bëjnë biznes, prandaj ekzistojnë. Por, ne, kemi për mision të plotësojmë kërkesat e shërbimit spitalor dhe për ilustrim, nga të gjithë kompanitë, kanë barna, sigurisht ka edhe sasira shumë të vogla.
Ne na është dashur këtë vit të vëmë në lëvizje, të plotësojmë kërkesat për një bar kundra malarjes, një bar që ishte zhdukur në Shqipëri prej 40 vitesh, u rishfaq; sasia mund të jetë shumë e vogël, por, nuk mund t’i thuash, kushdo qoftë, mjek, infermier, shef shërbimi, drejtor spitali, ministër shëndetësie, se s’kemi leverdi ta sjellim këtë ilaç.
Dhe kjo është arsyeja, që të paktën, në ligjin e ri, që ka hyrë në fuqi, është një dispozitë, që i ka dhënë të drejtën, autoriteteve përgjegjëse që merren me shëndetësinë, që në kushtet kur një bar, dështon të ofrohet në shërbimin spitalor, për një periudhë dy-vjeçare, i ngrihet proçesi i tregtimit në Shqipëri, për arsyen e vetme, që ai bar, – apo një alternativë e tij, – të mund të hyjë në Shqipëri, për të plotësuar nevojat e shërbimit spitalor, – bëhet fjalë vetëm për shërbimin spitalor.
Pra, këto janë tre probleme me të cilat, me sa duket, në këtë vit të parë të punës në ministri, nuk kemi gjetur një zgjidhje të plotë, por që do të duhet të vazhdojmë të merremi edhe në të ardhmen. E ndjej që nuk na përputhen në mënyrë të plotë interesat në këtë aspekt, do të duhet të bashkëjetojmë padyshim duke u marrë vesh me njëri-tjetrin.
Unë besoj se këto ishin ato gjërat kryesore që desha të ndaj me ju në këtë prezantim të parë.
Faleminderit! Sigurisht i gatshëm për të mbajtur shënim dhe për t’ju përgjigjur brenda mundësive sot, aq sa të kem informacion, pyetjeve apo kërkesave, për të ndarë shqetësime apo sugjerime. Kjo është edhe arsyeja që unë jam sot këtu me disa nga bashkëpunëtorët më të afërt të farmaceutikës.
—###—
Këtu mund të shkarkoni prezantimin në format .pdf e Ministrit Beqaj në takim: Prezantim-14/10/2014
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.