Raporti (shkresa me N. Prot. 4876/1, dt. 5/11/2013) i depozituar nga Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Komisionin e Kuvendit të Shqipërisë për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, në përgjigje të kërkesës së Komisionit (shkresa me N. Prot. 1898, dt. 1/11/2013) për “Dhënie informacioni nga Ministri i Shëndetësisë dhe Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në lidhje me financimin e shërbimit spitalor.”
—###—
Tiranë, 6/11/2013 – Situata financiare në shërbimin spitalor
Financimi i shërbimit shëndetësor spitalor nga ISKSH ka filluar ne vitin 2009 në zbatim të Vendimit 1661, date 28.12.2008, të Këshillit të Ministrave.
Aktualisht ISKSH ka kontraktuar 39 spitale, 4 prej të cilave janë spitale universitare, 11 spitale rajonale (Tirana nuk ka spital rajonal) dhe 23 spitale në nivel bashkiak.
Financimi i shërbimit spitalor mbulohet nga transferta e buxhetit të shtetit (përjashtohet Spitali Durrës).
Gjatë këtyre viteve nuk ka ndryshuar asgjë në mekanizmin e financimit të spitaleve. Buxheti i Spitaleve kaloi nga Ministria e Shëndetësisë në ISKSH duke mos pësuar asnjë ndryshim, përsa i përket lidhjes së këtij buxheti, me tregues të aktivitetit e të cilësisë së shërbimit spitalor.
Spitalet financohen me buxhet historik. Reforma spitalore e propozuar dhe e premtuar që do të sillte sukses, në fakt rezultoi në një përkeqësim në të gjitha drejtimet e shërbimit spitalor, si në aktivitetin spitalor dhe në financim.
Borxhet rezultuan në rritje, duke thelluar më shumë vështirësitë në sistemin shëndetësor.
Nga të dhënat e deritanishme rezultojnë borxhe ne barna, materiale e shërbime te tjera mjekësore e jomjekësore, përfshirë këtu edhe detyrimet për energji dhe ujë, në shumën mbi 4 miliardë lekë (mbi 40 milionë $), shumë kjo pothuajse e barabartë me programimin vjetor të vitit 2013 të buxhetit për zërin mallra e shërbime (602) të shërbimit spitalor, apo sa 1/3 e totalit të buxhetit vjetor për shërbimin
spitalor.
3.5 miliardë lekë (35 milionë $) të totalit të borxhit i përkasin QSUT, nga të cilat 1,9 milardë lekë janë produkte farmaceutike dhe pjesa tjetër mallra e shërbime të tjera.
Spitale me borxhe të konsiderueshme janë SU “Shefqet Ndroqi” (101, 6 milionë lekë), spitali i Elbasanit (89 milionë lekë), spitali i Pogradecit (85 milionë lekë), Materniteti Nr. 2 (59,6 milionë lekë),
spitali i Shkodrës (56 milionë lekë), etj.
Krahas mosfunksionimit në mekanizmin e financimit, pengesë ka qenë mosfunksionimi apo mosngritja e Bordeve të Spitaleve, detyrim i përcaktuar në Ligjin Spitalor me një ndikim të drejtpërdrejtë në autonominë e tyre.
Ministria e Shëndetësisë deri më tani nuk e ka përbushur misionin e saj.
Disa të dhëna që tregojnë një shpërndarje jo të drejtë të financimit të spitaleve janë:
Në spitalet rajonale:
Në spitalet bashkiake:
Mungesa e theksuar e standarteve, normativave, protokolleve klinike për çdo procedurë spitalore, ndryshueshmëria e skemave të mjekimit, e burimeve njerëzore etj., ka vështirësuar procesin e nxjerrjes së kostove reale në spitale, si bazë në dryshimin e financimit në shërbimin spitalor.
Çfarë do të realizojmë në 4 vitet e zbatimit të programit të qeverisë:
Përmirësimi i situatës aktuale, mbështetur në programin e qeverisë dhe realizimi i sfidës tonë për t’u kthyer qytetarëve besimin tek shërbimi shëndetësor, për t’u dhënë atyre mbrojtjen e merituar, përmes një sistemi shëndetësor me mbulim universal dhe për t’u krijuar profesionistëve kushtet e nevojshme për të shërbyer me cilësi, kërkon:
1. Të sigurohet autonomia spitalore, si një prej “gurëve të themelit” për suksesin e reformës ne sherbimin spitalor. Ngritja dhe funksionimi i bordeve është një element shumë i rëndësishëm në këtë proces.
2. Të miratohen protokollet e diagnozave për shërbimin spitalor, të cilat do të orientojnë më drejt procesin e financimit me synim përdorimin me efektivitet burimeve.
3. Procesi i akreditimit të institucioneve spitalore, është një kërkesë e domosdoshme, për të kontraktuar spitale që japin shërbime brenda standarteve të përcaktuara.
4. Duhet të synojmë një menaxhim shumë të kujdesshëm të këtyre financimeve. Krijimi i një strukture menaxheriale është i domosdoshëm për funksionimin normal të shërbimit spitalor dhe të shërbimit shendetësor në tërësi. Trajnimi i drejtuesve te spitaleve është domosdoshmëri e procesit.
5. Lidhja e financimit të spitaleve me treguesit e aktivitetit e të cilësisë së shërbimit është e domosdoshme në procesin e përdorimit me efektivitet të fondeve. Në periudhën e parë, në kushtet e mungesës së një sistemi të konsoliduar të informacionit në spitale, financimi do të realizohet, gradualisht, sipas metodës së buxhetit global, me një monitorim të rreptë të përdorimit të tij. Më tej financimi i spitaleve do të realizohet bazuar në sistemin e DRG (Diagnosis Related Group).
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.