.

vije ndarëse

Postuar më: 04/10/2022

Spitali i Ri “Zoja e Këshillit të mirë”, Manastirliu: Rrugë e re e bashkëpunimit ndërspitalor publik dhe jopublik

Tiranë 4 Tetor- Në ceremoninë e çeljes së Spitalit “Zoja e Këshillit të Mirë”, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se ky është një investim i ri jo vetëm në infrastrukturë por edhe në bashkëpunimin e sistemit shëndetësor publik me atë jopublik.
 “Ky spital i ri që i shtohet sistemiit tonë shëndetësor, është jo vetëm komplementar, por në thelb do të mundësojë dhe konkurrueshmërinë mes shërbimeve klinike të sistemit publik dhe jo publik në dobi të qytetarëve, duke kontribuar kështu në rritjen e cilësisë”, tha Manastirliu.
Duke folur për rolin që do të ketë për studentët, Manastirliu tha se hapja e këtij spitali universitar do jetë dhe baza e re didaktike, për qindra studentë të mjekësisë apo teknikë të shkencave mjekësore, shqiptarë apo të huaj.
Duke folur për investimet në sektorin publik drejt modernizimit të sistemit shëndetësor në vend, Manastirliu u shpreh:
“Nëse deri dje investime të tilla do na bënin krenar por ishin ekskluzivitet i shërbimit jo publik, sot shëndetësia publike ka hyre në një fazë të re të modernizimit të shërbimit, me spitale të reja, teknologji bashkëkohore si spitali i ri Kirurgjikal, Spitalet pediatrike nga Tirana, në Durrës e Elbasan, Maternitetet nga Lezha, Korça, Berati e Kukësi, e deri tek investimi madhor i Spitalit të ri të sëmundjeve të brendshme që do të hapet së shpejti. Ky moment i hap një rrugë të re bashkëpunimit ndërspitalor publik dhe jopublik, me synim zgjerimin e shërbimeve, rritjen e aksesit dhe përmirësimin e cilësisë së tyre”, tha Manastirliu.