Font Resize
Contrast
.

vije ndarëse

Postuar më: 09/10/2014

Të shëndetshëm jemi të gjithë të barabartë!

Fjala përshëndetës e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, me rastin e botimit të Udhëzuesit të Kontrollit Mjekësor Bazë për Shtetasit e Grupmoshës 40-65 vjeç: “Të shëndetshëm, jemi të gjithë të barabartë”

—###—

Të dashur mjekë, infermierë dhe punonjës të shëndetësisë,

Jam veçanërisht i gëzuar, teksa shoh me kënaqësi se, me botimin e këtij dokumenti të rëndësishëm, siç është “Udhëzuesi për Kontrollin Mjekësor Bazë: Për popullatën 40-65 vjeç, rezidente në Shqipëri”, kemi hedhur tashmë një hap të qenësishëm dhe konkret drejt kalimit të sistemit të kujdesit shëndetësor në Shqipëri në mbulim universal, duke përmbushur kështu, një nga angazhimet tona madhore programore dhe qeverisëse.

Në këtë rrugë që kemi vendosur të ecim qysh më 23 Qershor 2013, ne besojmë se duhet të krijojmë një qasje të re.

Tradicionalisht, sistemi shëndetësor ka patur në qendër sëmundjen. Me sëmundjen në qendër është konceptuar dhe ngritur i gjithë sistemi i kujdesit shëndetëtsor.

Ndërkohë, në rast sëmundjeje, për fat të keq, mungesa apo kufizimet në aksesin e kujdesit shëndetsor publik na bën të biem në vështirësi financiare të cilat prodhojnë pabarazi. Megjithatë, kemi zgjedhur një sistem që e pranon pabarazinë, madje bashkëjeton me të. Por kur pabarazia prodhon varfëri, atëherë në shoqëri krijohet një problem.

Sigurisht që historia e njerëzimit na mëson se shoqëritë ia kanë dalë t’i zgjidhin vetë edhe padrejtësitë. Dhe për rastet kur nuk i zgjidhin dot vetë, atëherë i drejtohen politikës. Sepse, në fund të fundit, politika është arti i së mundurës, duke ndihmuar që njerëzit t’i zgjidhin problemet që nuk i zgjidhin dot vetë.

Prandaj, edhe Qeveria e Koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, ka zgjedhur t’u japë qytetarëve shqiptarë mbrojtjen e merituar përmes një sistemi shëndetësor me mbulim universal duke e konsideruar kujdesin shëndetësor një të mirë publike dhe faktor themelor zhvillimi.

Sepse, ne besojmë se nëpërmjet tij do t’ia dalim të rrëzojmë barrierat që kanë shumë shqiptarë dhe do të mundim të ofrojmë më tepër siguri me kujdesin shëndetësor që ata meritojnë.

Le të përpiqemi të vendosim në qendër shëndetin. Atëhere, duhet të kujdesemi për shëndetin, të investojmë, qoftë për parandalimin, ashtu edhe për diagnostikimin e hershëm. Kjo përqasje e re është një vlerë e shtuar në sistemin tonë shëndetësor, duke synuar mbrojtjen e popullatës nga kërcënimet ndaj shëndetit, do të ndihmojë që njerëzit të jetojnë cilësisht më gjatë, si dhe do të ndihmojë në mbrojtjen e shtresave më të cënueshme të shoqërisë. Kjo përqasje na ofron mundësinë të fokusohemi tek shëndeti dhe ruajtja e tij dhe jo vetëm tek semundja dhe kurimi i saj.

 

Të shëndetshëm jemi të gjithë të barabartë!

Kjo është arsyeja se përse një nga shtyllat kryesore të programit tonë 4-vjecar është programi i kontrollit bazë shëndetësor për shqiptarët rezidentë në grupmoshën 40 – 65 vjeç.

Kontrolli Shëndetësor Bazë i miratuar nga Këshilli i Ministrave në 3 Prill 2014 është një program kombëtar, pa pagesë për përfituesit e tij, që synon depistimin e populates për faktorët e rrezikut dhe sëmundshmërinë më prevalente me qëllim kujdesin për shëndetin, parandalimin e sëmundjeve dhe komplikacioneve, zbulimin e hershëm të çrregullimeve, mjekimin në fazat e hershme dhe përmirësimin e kulturës shëndetësore, prej të cilit do të përfitojnë të gjithë shtetasit e grupmoshës 40-65 vjeç me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë.

Ftojmë shiqptarët e shëndetshëm të zhvillojnë përgjegjësitë individuale përkundrejt shoqërisë që po bëhet gati të marrë përsipër kostot e kujdesit shëndetësor të gjithsecilit.

I ftojmë që një herë në vit, pa pagesë, të paraqiten në qendrën shëndetësore të vendbanimit dhe të kryejnë kontrollin bazë.

Është detyra e të gjithë sistemit shendetësor parësor, që jo vetëm t’i ftojë shqiptarët, por edhe të ofrojë një shërbim cilësisht të ri dhe më shumë përkujdesje për mbrojtjen e shëndetit. Nëpërmjet kësaj nismeje, mjeku i familjes merr një rol më të madh dhe ne besojmë se këta profesionistë të shëndetit do të jenë edhe avokatët kryesorë të saj. Po ashtu, kjo nismë i’u ofron më tepër mundësi infermierëve për të ushtruar me dinjitet infermieristikën duke marrë rolin që ata meritojnë.

Më shumë mbështetje do të ketë nëpërmjet kësaj nisme edhe për qendrat shëndetësore dhe punonjësit e shëndetit që punojnë në to. Përfitoj nga rasti për të falënderuar përzemërsisht grupin e punës për përkushtimin, profesionalizmin dhe punën e palodhur për hartimin dhe projektimin e kësaj pakete të kontrollit bazë, të drejtuar me kompetencë nga Zëvendesministri Klodian Rjepaj, si dhe Zyrën e Bashkëpunimit Zviceran për ndihmën e çmuar dhe angazhimin e marrë për të na ndihmuar me trainimin e mjekëve dhe infermierëve.

Duke ju uruar punë të mbarë në zbatimin me përpikmëri të protokolleve dhe rregullave të këtij manuali,

Faleminderit!

Ilir Beqaj,
Ministër i Shëndetësisë

—###—