Font Resize
Contrast
.

vije ndarëse

Postuar më: 22/11/2013

“Thuaji Po Shqipërisë”

Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Takimin që u zhvillua më 22 Nëntor 2013, në Pallatin e Brigadave, si pjesë e nismës “Thuaji Po Shqipërisë,” të organizuar nën kujdesin e Kryeministrit z. Edi Rama, që mblodhi në Tiranë, profesionistët më të mirë shqiptarë që ushtrojnë profesionin e mjekut në vende të ndryshme të botës, për t’u njohur me sukseset që ata kanë arritur dhe për t’u njohur me përvojën e tyre në funksion të përmirësimit të sistemit të kujdesit shëndetësor në Shqipëri.

—###—

I nderuar Kryeministër, zoti Edi Rama,

Të nderuara zonja dhe të nderuar zotërinj,

Jam thellësisht i prekur dhe përulësisht mirënjohës që jam në mes të këtij grupi të shkëlqyer profesionistësh dhe atdhetarësh të denjë!

Nuk mund ta fsheh, gjithashtu, krenarinë që ndjej për vullnetin dhe gatishmërinë e shprehur nga një numër kaq i madh profesionistësh shqiptarë të shëndetit, që jetojnë e punojnë në vende të ndryshme të botës, të cilët, iu përgjigjën pa asnjë mëdyshje thirrjes së nismës “Thuaji Po Shqipërisë” të Kryeministrit Rama dhe Ministrit të Shëndetësisë.

Pata rastin dhe kënaqësinë e veçantë ta përjetoj edhe në vetë të parë këtë shprehje të palëkundur vullneti dhe energjie gjatë gjithë ditës së sotme, duke ndarë së bashku emocionet dhe duke mësuar nga përvojat e çmuara profesionale, por edhe jetësore që mbart secili prej jush.

U jam mirënjohës, dhe gjithashtu, i mirëkuptoj edhe miqtë e bashkëpunëtorët që, për shkak të kohës së shkurtër të njoftimit, e patën pothuajse të pamundur të ishin të pranishëm sonte këtu me ne;
ashtu siç jam i sigurtë, se komunikimi i vazhdueshëm dhe marrëdhënia e ngushtë që kemi krijuar tashmë, do t’i shërbejë më së miri këtij projekti të porsanisur të bashkëpunimit për rindërtimin e sistemit të kujdesit shëndetësor shqiptar.

Pak më shumë se një muaj më parë, në takimin që zhvilluam së bashku me Kryeministrin me mjekë, infermierë dhe punonjës të shëndetësisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, iu drejtova me një thirrje të hapur mjekëve e profesionistëve të shëndetit, që së bashku t’i hapnim rrugën ndryshimit të një sistemi qartësisht të rrënuar dhe të mirëetiketuar, tashmë, si ai më i keqi nga shërbimet publike që duhet dhe meritojnë të përfitojnë shqiptarët.

Hapja e këtij bashkëbisedimi dhe inkurajimi për përfshirjen në të, të gjeneratës së specialistëve të mirëfilltë të shëndetësisë dhe vlerave që komuniteti juaj përfaqëson besojmë se janë pjesë e qënësishme përbërëse e recetës për rimëkëmbjen e sistemit, duke u bazuar tek vlerat e dialogut, përgjegjësive dhe partneritetit të ndërsjelltë.

Ndoshta, për cinikët që thonë përherë “jo”, duke e    maskuar refuzimin e tyre zhgënjyes si shenjë urtësie apo duke na e shitur atë si dritën e mençurisë, nisma për rindërtimin e sistemit të kujdesit shëndetësor do të dukej një mision i pamundur. Por pikërisht për këtë shkak, ata nuk arrijnë të mësojnë dhe as të ndryshojnë asgjë.

Ndërsa, unë besoj, – dhe takimi i sotshëm me ju, ma rikonfirmoi edhe një herë bindjen time, – se duke thënë “po”, është mënyra më e mirë për t’i nxitur dhe inkurajuar projektet e guximshme.
Duke thënë “po” ke mundësi të rritesh e të zhvillohesh. “Po”-ja çon drejt njohjes. Pra, për aq kohë sa kemi vizionin dhe vullnetin e përbashkët për rindërtim, le t’i themi “po” këtij projekti madhor të ndryshimit.

Dija dhe përvoja juaj profesionale janë vlera reale dhe asetet që mund dhe duhet të na ndihmojnë në rrugën tone të përbashkët për jetësimin e ndryshimit. E vetmja recetë, siç e ka theksuar edhe Kryeministri Rama më se një herë në takimet e përbashkëta me mjekët, receta për rimëkëmbjen është bashkëpunimi për jetësimin e këtij projekti si fat, mision dhe detyrim i përbashkët përmes dialogut, përgjegjësive të ndërsjellta dhe partneritetit me ju.

Padyshim që shtrëngesa financiare mbetet një problem thelbësor, por gjithësesi, jo i vetmi. Në shëndetësi, rindërtimi duhet të jetë shumë më i thellë, se sa thjesht, material, duke bërë të mundur që spitalet të mos jenë vetëm hapësirat e parandalimit, diagnostikimit apo të kurimit, por të jenë hapësira të një solidariteti shoqëror e të një fryme të re e bashkëkohore.

Sfidat kryesore me të cilat përballet sistemi shëndetësor në Shqipëri janë të shumta, dhe kontributi juaj mund të jetë i dobishëm duke filluar

– nga modeli i mbulimit universal;
– nga çështje të burimeve njerëzore, për ngritjen dhe krijimin e kushteve të nevojshme për profesionistët për të shërbyer me cilësi;
– shpërndarjen e shërbimeve shëndetësore;
– kontraktimin e ofruesve të shërbimeve shëndetësore;
– monitorimin dhe vlerësimin e shërbimeve shëndetësore;
– kërkimin shkencor në shkencat shëndetësore;
– partneritetin, bashkëpunimin, lobimin dhe “avokatinë” shëndetësore;
– financimin e sistemit shëndetësor; etj.

Edhe një herë, përulem me respekt përpara vullnetit dhe gatishmërisë suaj për t’iu bashkuar kësaj nisme,

Ju faleminderit!

—###—