Tirana, pikëtakimi e përpjekjeve të profesionistëve të rinj të shëndetit nga hapësira shqipfolëse
Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Kongresin e Tretë Ndërkombëtar të Shkencave Biomjekësore, të organizuar (4/5/2015) sot në Tiranë
Kongresi dy-ditor (4-5 maj 2015), i cili i çeli punimet sot, organizohet nga një grup bashkëpunues i Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe i Fakultetit të Mjekësisë dhe ka si qëllim të prezantojë përpara studentëve të fakulteteve të mjekësisë dhe të shkencave të natyrës, jo vetëm rëndësinë e zhvillimit të shkencave biomjekësore, por edhe risitë dhe zhvillimet më të fundit në këtë fushë. Në kongres, janë ftuar të marrin pjesë gjithashtu edhe përfaqësues të universiteteve të njohura ndërkombëtare.
—###—
Të nderuar organizatorë të Kongresit,
E Nderuar SH.J. Ambasadorja e Spanjës, znj. Cortés Martín, (Ambasadorja e Spanjës në Shqipëri, Silvia Josefina Cortés Martín)
Profesorë, Mysafirë nga disa universitete të Europës,
Një nga angazhimet tona themelore të Programit Qeverisës kur morrëm detyrën ka qenë edhe adresimi i të gjithë çështjeve që lidhen me formimin e profesionistëve të shëndetit, kërkimin shkencor, autonominë profesionale, përfshirjen në qeverisjen dhe mbarëvajtjen klinike, pa lënë mënjanë nevojën për të plotësuar boshllëqet e krijuara në vite në trupën mjekësore të vendit, sidomos në territor.
Po ashtu, u zotuam se urdhërat e profesionistëve të shëndetësisë do të reformohen duke u qeverisur me standarde të njëjta, duke u kërkuar të kenë rol më madh në rritjen e vazhdueshme të cilësisë së kontrollit të profesionsitëve të shëndetësisë.
Sot, jam i gëzuar tek vërej me kënaqësi, që pas rreth 18-19 muajsh, jemi në drejtimin e duhur.
Kemi hedhur mjaft hapa të rëndësishëm në të gjitha këto fronte të lidhura ngushtë me rolin e pazëvendësueshëm të profesionistëve të shëndetit në përmirësimin e sistemit tonë të kujdesit shëndetësor.
Jam i gëzuar, gjithashtu, tek marr pjesë sot në këtë aktivitet ku Tirana shërben si pikë-takimi e përpjekjeve dhe ambicieve të profesionistëve dhe shkencëtarëve të rinj në shkencat biomjekësore, nga e gjithë hapësira shqip-folëse.
Kërkimi shkencor në rajonin tonë, është tashmë përherë e më tepër i integruar me kërkimin shkencor dhe inovacionin në BE.
Sot, janë më të prekshme se kurrë, bashkëpunimet reale me qendrat e ekselencës në BE. Edhe Kongresi i sotshëm është dëshmi e integrimit europian të të rinjve universitarë, jo vetëm në aspirata, por edhe në mendësi, praktika dhe metoda pune.
Përveç kësaj, fakti që organizimi i këtij Kongresi është frut i një nisme të ndërmarrë nga specialistët e rinj të shkencave biomjekësore, është mjaft shpresëdhënës dhe kuptimplotë. Tashmë, brezi i ri i profesionistëve të shëndetit në Shqipëri ka jo vetëm mundësinë për të ëndërruar, por edhe potencialin për të shpërthyer kufijtë e vetëmbylljes në “kullat e inferioritetit”.
Takimi i sotshëm është gjithashtu një dëshmi e qartë se Shqipëria është një vend ku gëlon një forcë profesionistësh të rinj, të aftë të ndërmarrin dhe përballojnë sfida, të angazhohen si në kërkim, ashtu edhe në shkenca të aplikuara, t’u përgjigjen kërkesave të kujtdo investitori dhe të cilësdo industrie.
Sigurisht që ato çfarë diskutohen sot janë një ndihmë e vyer në zbatimin e Programit tonë. Por, siç e tha dhe Kryeministri, është diçka që ne në qeveri nuk ngurrojmë ta përsërisim, synimi ynë kryesor mbetet Mbulimi Universal. Por, i cili, edhe në një vend të vogël si Shqipëria, nuk mund të arrihet pa Aksesin Universal. Sepse, edhe me shkencat biomjekësore, me zhvillimin dhe shtrirjen e tyre jemi në gjendje të thyejmë barrierat gjeografike, financiare dhe kulturore.
Vetëm dy javët e fundit, nga Italia fqinje, kanë ardhur dy lajme të reja të mira që lidhen me këtë që diskutojmë sot. Një grup profesorësh në Universitetin e Barit ka bërë një zbulim të rëndësishëm që lidhet me Hepatitin B. Ndërkohë që po javën e kaluar, nga qendra e ekselencës e Prof. Veronesi-t në Milano vjen përgjigja që për screen-imin e kancerit të mushkërive mund të kalojmë nga scanner-i tek një analizë e thjeshtë laboratorike.
Prandaj, edhe ne vetë si Qeveri kemi qenë të angazhuar që minimalisht t’u ofrojmë mjekëve një bazë të mirë diagnostike, laboratorike dhe imazherike. Kjo është arsyeja që jemi përpjekur të krijojmë një rregjim funksionimi normal të pajisjeve imazherike, të shtrijmë përdorimin e shëndetësisë elektronike, dhe ky është edhe qëllimi i një qasjeje të re që duam të sjellim në administrimin e shërbimeve laboratorike në spitalet tona, por edhe që për fat të keq, është pritur jo mirë nga vetë profesionistët mjekë të këtyre laboratorëve.
Unë jam takuar me ta, – më tej, – edhe pse kanë një korrespondencë zyrtare me mua, ata i janë drejtyar Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, Komisionit Kuvendor (Komisioni Për Punën, Çështjet Sociale Dhe Shëndetësinë).
Por ajo çfarë kam konstatuar me keqardhje është fakti se të njëjtët njerëz më rezultojnë pedagogë, mjekë në spitalet publike, drejtues shërbimesh, drejtues teknikë në laboratore jopublike, dhe importues materialesh dhe reagentësh.
E kam të vështirë të kem një gjykim të plotë, sepse të njëjtë njerëz i shoh që veshin për të njëjtën gjë, – në mënyrë figurative, – “pesë palë këpucë të ndryshme”. Në fund të fundit, bëhem i vetëdijshëm që pa profesionistë shëndetësie nuk mund ta arrijmë atë që duam. Por në fund të fundit, si ministër i shëndetësisë, më primar kam kujdesin ndaj qytetarëve.
Sepse nëse kemi sfida jo të vogla që duam t’i përmbushim që këtë vit apo vitin e ardhshëm, siç është p.sh., marrja përsipër e urgjencës kardiake 24 orë në 365 ditë, apo vënia në punë e Stroke Unit, na duhet minimalisht një shërbim normal laboratorik nga Saranda në Bajram Curri. Dhe nëse kemi ofertë të bollshme në kryeqytet, duhet të mendojmë për të gjithë territorin e vendit. Dhe nëse diku mund të duket që i ofrojmë diçka të leverdisshme një sipërmarrësi, ndodh kështu, sepse i themi që të marrë përsipër edhe një sistem që komercialisht është me humbje në Gjirokastër, në Ersekë, në Malësi të Madhe, apo në Has.
Sidoqoftë, detyrimi i çdo qeverie është të krijojë një “mjedis mundësues” për arsimin, kërkimin shkencor, inovacionin, shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, aplikimin e dijeve, edhe për sipërmarrjen.
Kështu, në fushën e arsimit universitar kemi ndërmarrë hapa vendimtarë për ta çliruar atë nga informaliteti, kioskëzimi, pseudo-shkenca dhe skemat mashtruese.
Projektligji i Arsimit të Lartë përbën një gur themeli në vendosjen e raporteve të drejta mes funksioneve akademike dhe administruese, autonomisë universitare dhe ndërhyrjes rregullatore nga institucionet e përcaktuara ligjërisht si të tilla.
Akreditimi i universiteteve është një proçes që parasheh përmbushjen e standardeve të domosdoshme, qoftë në infrastrukturë, në bazë laboratorike, teknologji, ashtu edhe në proçedura dhe burime njerezore.
QSUT, si qendra më e madhe në vend për formimin dhe kërkimin në fushën e mjekësisë, në statusin e veçantë ligjor në raport me Universitetin Mjekësor të Tiranës, tashmë është përforcuar me teknologji mjekësore dhe me mjedise për realizimin e funksioneve akademike.
Janë çliruar energji të ndrydhura nga bllokimi i pajustifikueshëm për më shumë se tre vjet i konkursve të specialiteteve, por këtë gjë e preku në mënyrë më të plotë Kryeministri.
Kërkimi shkencor, në fakt, po çlirohet edhe nga konfikti i interesit dhe “kapja nga industritë farmaceutike”. Kemi tashmë rregulla të qarta për të kufizuar akreditimin e aktiviteteve të edukimit në vazhdim në fushen e mjekësisë, që synojnë të bëjnë marketingun e produkteve farmaceutike. Janë arritur rezultate të prekshme në kufizimin e hapësirave korruptive të profesionistëve nga industria farmaceutike, dhe jemi duke punuar intensivisht në këtë drejtim.
Ligji i ri për barnat dhe shërbimin farmaceutik, i miratuar në korrik të vitit të kaluar, rregullon proçedurat e zhvillimit të kërkimit shkencor që përfshin përdorimin e produkteve farmaceutike në fazë eksperimentale. Në çdo rast, interesi i personit që i nënshtohet provës klinike ka përparësi mbi interesin e shkencës dhe të shoqërisë.
Ligji parashikon ngritjen e “Komitetit të Etikës”, i cili është organi i pavarur, i përbërë nga profesionistë të shëndetit ose jo, të cilët kanë përgjegjësi për mbrojtjen e të drejtave, sigurisë dhe mirëqenies së personave të përfshirë në provat klinike. Organizimi i këtij komiteti bëhet me rregullore të miratuar nga qeveria. Komiteti i Etikës siguron garanci publike të mbrojtjes së të drejtave, nëpërmjet shprehjes së opinionit në protokollet e provave klinike, përshtatshmërisë së investiguesve, metodave dhe dokumentacionit të përdorur.
Unë edhe njëherë dua të falënderoj organizatorët për këtë takim, dhe t’ju uroj sërish suksese! Faleminderit!
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.